
Dështon misioni “shpëtim” i Francesco Morieros në Vlorë. Tekniku italian nuk do të jetë më trajner i Flamurtarit për pjesën e mbetur të sezonit, duke mbyllur kështu një aventurë që nisi me bujë, por përfundoi në heshtje.
Edhe pse mungon ende zyrtarizimi nga klubi, fakti që Moriero mungoi sot në pankinë për ndeshjen e dytë radhazi ndaj Teutës, konfirmon ndarjen përfundimtare.
Rikthimi i tij në Superiore pas shkarkimit të Carlos Garcias nuk solli kthesën e pritur. Pas mungesës në sfidën me Partizanin, e cila u arsyetua me probleme shëndetësore, kjo mungesë e dytë rezultoi fatale për pozicionin e tij.
Aktualisht, skuadra po drejtohet nga Andi Ribaj, ndërsa situata në tabelë mbetet alarmante, me vlonjatët që mbajnë vendin e fundit në renditje.
Drejtuesit e klubit janë tashmë në kërkim të një emri të ri që mund të bëjë mrekullinë në javët e mbetura për të siguruar mbijetesën.



