
Jasir Asani do të rikthehet sërish te skuadra e Partizanit, të paktën për sa i përket procesit stërvitor gjatë kësaj periudhe delikate.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka konfirmuar këtë lëvizje gjatë një interviste në emisionin “Në shtëpinë e Futbollit”, ku bëri të ditur se shumë shpejt do t’i bashkohet kampit të “Demave të Kuq” në Tiranë.
Ky vendim vjen si pasojë e situatës së rënduar në Iran, çka e ka detyruar anësorin kuqezi të largohet përkohësisht nga skuadra e tij aktuale, Esteghlal, për të vijuar përgatitjet në një ambient më të sigurt.
Shkak i këtij largimi të papritur është bërë përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme, situatë e cila ka sjellë pezullimin e të gjitha kompeticioneve sportive në rajon.
Për të mos humbur formën fizike, sidomos në prag të sfidave të rëndësishme të Kombëtares, Asani ka zgjedhur Shqipërinë si destinacionin më të mirë për të qëndruar në aktivitet.
Më herët, lojtari kishte qetësuar ndjekësit e tij përmes rrjeteve sociale, duke konfirmuar se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se largimi nga Irani ishte një masë e nevojshme sigurie deri në stabilizimin e rrethanave politike dhe ushtarake atje.






