
Ish-sulmuesi i Egnatias James Ayinde, ka ndërruar jetë në moshën 24-vjeçare, pas një beteje me sëmundjen e rëndë.
Lojtari, i cili u diagnostikua me kancer në veshka, nuk arriti të fitonte ndeshjen më të rëndësishme të jetës, pavarësisht apeleve të shumta për ndihmë financiare që familjarët e tij bënë kohët e fundit.
Ayinde ishte një produkt i moshave të Egnatias, i cili arriti të ngjitej deri në ekipin e parë, duke qenë pjesë e rrugëtimit të suksesshëm të rrogozhinasve dhe duke shijuar fitimin e trofeve me këtë fanellë.

Përveç Egnatias, ai dha kontributin e tij edhe në Kategorinë e Parë me ekipin e Lushnjës. Që prej korrikut të vitit 2024, lojtari kishte mbetur pa ekip, periudhë që përkoi edhe me rëndimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Futbolli humbi sot një djalosh që ëndrrat i nisi në fushat tona, por që fati e ndau parakohe nga jeta.





