
Hije skandali kanë rënë mbi Kategorinë e Dytë, me protagonist FSHF-në, që është përgjegjësi direkt për organizimin dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve zyrtare të futbollit shqiptar në çdo kategori, raporton Panorama Sport. Klubi i Futbollit Tomori dhe drejtuesit e tij kanë reaguar ashpër, duke denoncuar një rast flagrant të shkeljes së rregullores, që sipas tyre ka dëmtuar drejtpërdrejt skuadrën beratase.
Sipas drejtuesve të Tomorit, jo vetëm shkelja e konstatuar ka mbetur pa u ndëshkuar, por është shoqëruar edhe me një indiferencë të pashpjegueshme nga zyrtarët e FSHF-së dhe Komisionit të Disiplinës dhe Etikës. Për afro dy muaj, këto struktura kanë lënë pa shqyrtuar një denoncim dhe mbi të gjitha një kërkesë zyrtare, me të cilën klubi beratas kërkonte fitoren në tavolinë të një ndeshjeje, për shkak të aktivizimit të parregullt të futbollistëve të një skuadre të Superiores në ekipin B të të njëjtit klub. Pretendimet e Tomorit lidhen konkretisht me ndeshjen e datës 26 tetor, të zhvilluar në Berat mes Tomorit dhe Bylis B, e fituar nga ballshiotët me rezultatin 1-0, me gol të shënuar nga Sulovari.
Sipas drejtuesve beratas, në protokollin e ndeshjes rezulton i aktivizuar futbollisti Bruno, i cili vetëm dy ditë më parë, më 24 tetor, ishte aktivizuar dhe ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e Superiores mes Elbasanit dhe Bylisit. Po ashtu, në këtë takim janë aktivizuar edhe futbollistë të tjerë që kishin luajtur me ekipin e parë, mes tyre edhe autori i golit vendimtar. Pavarësisht konstatimeve të bëra para dhe pas ndeshjes, si dhe pranisë së zyrtarëve të FSHF-së në role gjykimi, vëzhgimi dhe delegimi, takimi u zhvillua normalisht. Tomori e relatoi rastin menjëherë pas ndeshjes në Sektorin e Garave, me shpresën se çështja do të shqyrtohej nga Komisioni i Disiplinës. Megjithatë, për afro dy muaj pasoi një heshtje totale.
Situata shpërtheu pas vendimit për fitoren në tavolinë të Partizanit B ndaj Bylisit B, në një rast ku, sipas Tomorit, argumentet ishin identike me ato të paraqitura nga klubi beratas. Pas publikimit të lajmit në “Panorama Sport”, trajneri i Tomorit, Klodian Arbëri, reagoi ashpër: “Nuk mund ta kalojmë në heshtje këtë padrejtësi që na është bërë si skuadër. Nuk mund të lejojmë që rregullorja të shkelet në mënyrë flagrante dhe të zbatohet me dy standarde: ca të nënës dhe ca të njerkës. Prej afro dy muajsh kemi kërkuar drejtësi në Sektorin e Garave, që nga email-i i parë e deri te kërkesa e dytë zyrtare. Madje kemi kontaktuar edhe zyrtarë të FSHF-së, të cilët herën e parë u justifikuan se email-i kishte ardhur me vonesë, ndërsa më pas gjithçka u la në heshtje.” Tekniku beratas shton se rregullorja duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe se rasti i Brunos, i ndëshkuar me karton të kuq në Superiore dhe i aktivizuar më pas në Kategorinë e Dytë, është më se flagrant.
“Ne nuk kemi pretendime për ngjitje, por nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbemi deri në këtë pikë. Nuk është e pranueshme që e njëjta rregullore të favorizojë Partizanin B dhe të diskriminojë Tomorin. Kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit sportiv dhe marrjen e fitores në tavolinë, pasi jemi skuadra e parë që kemi denoncuar këtë shkelje me prova dhe kërkesë zyrtare.” Arbëri thekson se aktivizimi i futbollistëve të Superiores në skuadrat B të Kategorisë së Dytë, sidomos i atyre të ndëshkuar me karton të kuq, e deformon garën dhe e bën konkurrencën të padrejtë. “Nëse kjo vazhdon, kampionati humbet çdo kuptim. Gara po prishet dhe po ndikohet drejtpërdrejt nga këto padrejtësi. Kërkojmë që kërkesat tona të mos mbahen në sirtar, sepse ajo që na takon është e drejta jonë”, përfundoi Arbëri.





