
Klubi i Bylisit ka njoftuar përmes rrjeteve sociale nënshkrimin me sulmuesin e djathtë kroat, Robert Muriç. 30-vjeçari vjen në Ballsh pas mbylljes së bashkëpunimit me ekipin slloven të Muras gjatë muajit janar.
Futbollisti zotëron një përvojë të pasur ndërkombëtare, pasi është formuar në akademinë e Dinamos së Zagrebit dhe ka qenë pjesë e Ajax-it në Holandë.
Karriera e tij përfshin gjithashtu angazhime me ekipe si Braga B në Portugali dhe Konyaspor në Superligën e Turqisë.
Sipas vlerësimeve të platformës “Transfermarkt”, vlera e kartonit të sulmuesit shkon në 300 mijë euro. Ky përforcim vjen si një ndihmë për trajnerin Mirel Josa, i cili kërkon të rrisë efikasitetin e skuadrës në fazën ofensive.
Bylisi aktualisht ndodhet në vendin e shtatë me 27 pikë dhe po lufton për t’u larguar nga zona e rrezikshme e renditjes.



