
Tërmet te Lushnja pas humbjes turpëruese ndaj Laçit. Disfata e rëndë me rezultatin 1-5 në shtëpi nuk ka kaluar pa pasoja drastike, pasi trajneri Artan Bano ka vendosur të japë dorëheqjen.
Tekniku i mirënjohur nga Myzeqeja nuk e ka përtypur dot performancën e skuadrës dhe poshtërimin në fushën e tyre, duke mbyllur kështu aventurën në krye të pankinës verdhejeshile.
Sipas raportimeve të fundit nga kampi lushnjar, Bano ua ka komunikuar vendimin lojtarëve menjëherë pas përfundimit të takimit, duke bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e projektit për javët e mbetura të Kategorisë së Parë.
Kjo dorëheqje vjen në një moment kritik për klubin, i cili përveç krizës së rezultateve, u përfshi edhe në episode tensioni gjatë ndeshjes. Tashmë drejtuesit e Lushnjës duhet të gjejnë urgjentisht një pasues për të drejtuar ekipin në fundin e kampionatit.





