
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Medon Berisha, po kalon momentin më të vështirë të karrierës së tij.
Ndërsa pritej rikthimi i tij në fushë pas një dëmtimi të gjatë që e mbajti jashtë që prej fundit të vitit të kaluar, fati i ka kthyer sërish shpinën talentit të Leçes. Klubi italian ka njoftuar se Berisha ka pësuar një këputje të tendinit në muskulin e djathtë të femurit gjatë një seance stërvitore individuale.
Ky dëmtim i ri, i ndodhur në një zonë të ndryshme nga ajo e mëparshmja, detyron futbollistin t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Të mërkurën e ardhshme, Berisha do të udhëtojë drejt Finlandës për një konsultë me specialistin e mirënjohur, Profesor Lempainen, ku pritet të kryhet edhe operacioni.
Ky lajm konfirmon fundin e parakohshëm të sezonit për mesfushorin, i cili e kishte nisur vitin në mënyrë mbresëlënëse në Serinë A, duke u shndërruar në protagonist te Leçe dhe një pikë referimi për të ardhmen e mesfushës kuqezi.







