
Afrim Tovërlani nuk do të jetë më trajner i Prishtinës. Pas ndeshjes me Ferizajn, ai ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme.
Tekniku mori përgjegjësinë e plotë për ecurinë e dobët të skuadrës, e cila nën drejtimin e tij pësoi 8 humbje në 15 ndeshje zyrtare.
Tovërlani u emërua në krye të pankinës bardhekaltër më 25 nëntor, por bilanci prej vetëm 4 fitoresh dhe 3 barazimesh nuk i përmbushi objektivat e klubit kryeqytetas.
Përmes një komunikate zyrtare, Prishtina e falënderoi trajnerin për profesionalizmin dhe angazhimin e treguar gjatë kësaj periudhe të vështirë. Klubi theksoi se ndarja erdhi me mirëkuptim, duke i uruar Tovërlanit suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale. Tashmë, drejtuesit e Prishtinës janë vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin e duhur që do të nxjerrë ekipin nga kriza e rezultateve.
Emri i trajnerit të ri pritet të bëhet publik brenda pak ditësh, për të nisur menjëherë përgatitjet për sfidat e radhës në kampionat.







