
Vllaznia po përballet me vështirësi serioze në aspektin administrativ dhe ligjor. Klubi shkodran ka humbur edhe dy çështje të tjera në FIFA, duke e çuar në katër numrin total të dosjeve të hapura dhe të pashlyera.
Si pasojë e këtyre vendimeve, merkatoja e kuqebluve është aktualisht e bllokuar. Regjistrimi i lojtarëve të rinj nuk do të lejohet deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve që burojnë nga çështja e fundit e humbur.
Disa ditë më parë, drejtuesit e klubit kryen pagesën ndaj Marko Juriç, por situata mbetet ende e ndërlikuar.
Me afrimin e merkatos së dimrit, Vllaznia duhet të zgjidhë katër çështje në një afat të shkurtër kohor. Në të kundërt, trajneri Edi Martini nuk do të ketë mundësi të afrojë përforcime në skuadër.




