
Stavro Pilo po konfirmon formën e tij të shkëlqyer në kampionatin grek, pikërisht në momentin kur i është bashkuar Kombëtares shqiptare për sfidat e “play-off”.
Mbrojtësi i majtë ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 të AEK-ut të Athinës ndaj Kifisia-s, duke dhuruar një asistim mjaft të bukur në minutën e 26-të.
Pas një zbritjeje të shpejtë nga krahu i tij, Pilo shërbeu saktë për shokun e skuadrës, duke vulosur rezultatin përfundimtar të takimit. Kjo paraqitje i ka siguruar mbrojtësit shqiptar një vend në formacionin më të mirë të javës në Greqi, sipas vlerësimeve të mediave vendase.

Për trajnerin Silvinjo, kjo formë e lojtarit vjen si një “armë” shtesë për repartin e prapavijës, i cili ka qenë pika e fortë e Shqipërisë gjatë kualifikueseve të Botërorit.
Pilo ka festuar kështu ftesën e tij të parë kuqezi në mënyrën më ideale, duke rritur konkurrencën në krahun e majtë të mbrojtjes.
Tashmë pritet të shihet nëse tekniku brazilian do t’i besojë minuta mbrojtësit të AEK-ut në duelin deciziv ndaj Polonisë.







