
Tension i madh te moshat, në duelin mes Bylis dhe Laçit për U-19.
Klubi ballshiot ka denoncuar dhunën fizike ndaj lojtarëve të tyre, Ahmed Ibrahim Adepoju dhe Mirlind Bahaj, duke akuzuar drejtuesit vendas për sulm fizik.
Përveç dhunës, Bylis pretendon se nga pala kurbinase ka pasur akuza se po luanin për llogari të Partizanit. Ndonëse Laçi i hodhi poshtë këto pretendime, ballshiotët kanë publikuar sot pamje filmike amatore për të mbështetur versionin e tyre.
Në videot e shpërndara duket tensioni në fund të takimit, ku trajneri i Bylis detyrohet të ndërhyjë për të mbrojtur futbollistët. Klubi ka sqaruar gjithashtu se ka njoftuar menjëherë zyrtarët e moshave në FSHF për të gjitha incidentet e regjistruara në këtë transfertë.
Postimi i Bylisit:
Reagim!
Lidhur me reagimin e klubit të Laçit, ku thuhet se kemi reaguar pas dy ditësh, sqarojmë se klubi ynë ka reaguar menjëherë pas ndeshjes për incidentet e ndodhura dhe kemi njoftuar në FSHF edhe përgjegjësin e moshave, z. Neritan Koçi.
Nga videot amatore duket qartë tensioni dhe mënyra se si, në fund të takimit, lojtari ynë Ibrahim sulmohet nga drejtuesit vendas. Është dashur ndërhyrja e trajnerit tonë për ta marrë në mbrojtje lojtarin.





