
Vllaznia fitoi minimalisht supersfidën e javës së 11-të ndaj Dinamos, në një ndeshje shumë të luftuar nga të dyja ekipet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Sfida nisi vrullshëm nga vendasit, që ishin dominues në minutat e para, duke kërkuar me ngulm avantazhit. Momenti i mirë u shpërblye në minutën e 13-të, kur një devijim nga Qefalija, e dërgon topin te Bekim Balaj, i cili përballë portierit nuk gaboi, duke zhbllokuar takimin.
Pas këtij goli, Dinamo reagoi dhe iu afrua barazimit në minutën e 20-të. Guindo mori një top të shkëlqyer në zonë, por tentativa e tij me kokë shkoi mbi traun e portës.
Nuk shënoi dot as Ferrera, tentativa e të cilit shkoi jashtë. Berbard Berisha gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 34-t, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.
Fraksioni i parë u mbyll i qetë, ndërsa i dyti nisi me një mundësi të shkëlqyer për Dinamon. Guindo shpërdoroi gjithçka në minutën e 47-të, duke mos shënuar dot i vetëm me portierin.
Të njëjtin fat kishte edhe Qardaku, me tentativën e tij që shkoi në duart e portierit të Vllaznisë, Pohls.
Në minutën e 65-të, Sherif Kallaku iu afrua dyfishimit, me një gjuajtje të shkëlqyer në zonë, e cila gjeti reagimin spektakolar nga Aldo Teqja.
10 minuta më vonë, Bernard Berisha kishte rastin e artë, por nuk pasoi dot, pasi u ndal në momentin e fundit nga portieri vendas.
Në vijim, Vila dhe Bregu shpërdoruan dy raste të arta për të barazuar shifrat, duke bërë që avantazhi të mbetej për shkodranët.
Me këtë fitore, Vllaznia shkëputet në krye me 23 pikë, ndërsa Dinamo mbetet në vendin e katërt me 18 pikë të grumbulluara.
/CNA





