
PSV Eindhoven është shpallur zyrtarisht kampione e Holandës për herë të 27-të në historinë e klubit, duke siguruar titullin e tretë radhazi në Eredivisie.
Suksesi u konfirmua këtë të diel pas barazimit pa gola të ndjekësit më të afërt, Feyenoord, në transfertë ndaj Volendam.
Ky rezultat e çon diferencën në 17 pikë, një distancë e pakapërcyeshme kur kanë mbetur edhe 5 javë deri në përfundim të kampionatit.
Skuadra e drejtuar nga Peter Bosz kishte bërë hapin vendimtar një ditë më parë, duke mposhtur Utrecht me rezultatin 4-3.

Ky sezon u dominua nga ekipi i Eindhovenit, i cili vendosi një rekord të ri në futbollin holandez duke u shpallur kampion që më datë 5 prill.
Gjatë këtij edicioni, PSV regjistroi një seri prej 13 fitoresh radhazi dhe theu rekordin e sukseseve rresht në transfertë me 14 të tilla.
Ky është rasti i tretë në histori që PSV fiton të paktën tre tituj radhazi, pas periudhave të suksesshme 1986-1989 dhe 2005-2008.






