
Egnatia triumfoi 4-2 ndaj Teutës, në ndeshjen e javës së 27-të në Superiore. Një përballje spektakolare në Rrogozhinë, ku festa në fund ishte për vendasit.
Durrsakët e nisën mirë ndeshjen dhe gjetën avantazhin në minutën e 25-të me Zhongon. Megjithatë, Egnatia përmbysi gjithçka brenda pjesës së parë.
Albanese barazoi në minutën e 40-të, pas një gafe te portierit Selmani, ndërsa Adjessa shënoi të dytin në minutën e tretë shtesë.
Në fraksionin e dytë, Teuta riktheu baraspeshën me Maçollin nga penalltia në minutën e 54-t.
Bregdetarët mbetën me 10 lojtarë në minutën e 79-të, pas kartonit të kuq për Kotobellin. Vetëm një minutë më vonë, Buric riktheu avantazhin për vendasit.
Ndeshjen e vulosi Fernando, i cili shënoi të katërtin në minutën e 93-të.
Me këtë sukses, Egnatia mban vendin e tretë me 49 pikë, po aq sa Elbasani i vendit të dytë dhe dy pikë më pak se Vllaznia kryesuese, me të cilën përballet javën e ardhshme.
Teuta renditet në vendin e gjashtë me 34 pikë të grumbulluara.






