
Këtë të mërkurë, në Fushë-Krujë, u regjistruan episode dhune, ku lojtarë të Ilirisë së bashku me pjesëtarë të stafit teknik, sulmuan futbollistët e Skënderbeut dhe trajnerin Ernest Gjoka. Si pasojë, Federata Shqiptare anuloi ndeshjen.
Megjithatë, kjo dhunë ishte e paralajmëruar prej kohësh, për shkak të ngjarjeve të ndodhura në të kaluarën në Fushë Krujë. Pak javë më parë, kemi shkruar për këtë fenomen, duke i bërë thirrje Komisionit të Disiplinës, të merrte masa.
Megjithatë, Komisioni i Disiplinës mbylli sytë ndaj kësaj dhune dhe ja ku vijnë pasojat.
REAGIMI I FAQES SONË MË 31 TETOR:
Komisioni i Disiplinës në FSHF vazhdon të heshtë për një nga ndeshjet më të përfolura të javëve të fundit në futbollin shqiptar, Kastrioti–Skënderbeu. Edhe pse janë publikuar plot 54 vendime disiplinore, në asnjërin prej tyre nuk përmendet kjo ndeshje, e cila u shoqërua me episode skandaloze dhe presion të paprecedent ndaj arbitrave dhe lojtarëve miq. Heshtja e institucionit që duhet të garantojë drejtësinë sportive ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e transparencës dhe barazisë në futbollin tonë. Disiplina ka mbyllur sytë, duke mos parë as grushtet, as presionin, as fyerjet dhe as tërheqjen e Kastriotit nga fusha për disa minuta.
Në sfidën e Kategorisë së Parë, e fituar 3-2 nga Kastrioti, arbitri Erjon Bylykbashi e humbi totalisht kontrollin e ndeshjes, për shkak të presionit të madh nga tribuna dhe fusha. Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë momentin kur lojtari Alessandro Kacbufi i vendos duart në fytyrë arbitrit, një veprim që në çdo fushë tjetër do të sillte karton të kuq të menjëhershëm. Megjithatë, në Fushë-Krujë, gjyqtari vendosi ta falë, ndoshta për “arsye” që dihen vetëm prej tij.
Në anën tjetër, Klevis Shaqe u përjashtua me të kuq në një situatë të paqartë, ku i vetmi i përfshirë në sherr ishte portieri Marco Alia. Pabarazia në vlerësim dhe mungesa e reagimit zyrtar e bëjnë edhe më të rëndë panoramën e një ndeshjeje që ka lënë njollë në garë.
Komisioni i Disiplinës nuk ka marrë ende asnjë vendim, as për Kastriotin, as për arbitrin Bylykbashi. Kjo mungesë transparence është një sinjal se drejtësia sportive në Shqipëri po zbatohet me dy standarde. Nëse ky precedent vazhdon, çdo apel për “lojë të ndershme” do të mbetet vetëm një slogan bosh.





