
Klubi i Bylisit ka denoncuar një episod dhune të ndodhur gjatë ndeshjes së kampionatit të moshave U-19 kundër Vllaznisë.
Sipas njoftimit të klubit ballshiot, incidenti ndodhi në fushën sportive “Reshit Rusi”, kur lojtarët po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes për shkak të breshërit.
Bylisi pretendon se futbollistët e tyre janë goditur fizikisht nga trajneri i portierëve të Vllaznisë dhe një person civil që ndodhej në pankinë. Ndër lojtarët e dhunuar raportohet se janë edhe dy futbollistët e huaj, Ibrahim dhe Malud Riruwai.
Klubi ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për të marrë masat përkatëse. Pavarësisht tensioneve, sfida u fitua nga Bylisi me rezultatin 1-3.
Klubi ballshiot kërkon ndëshkimin e autorëve, duke theksuar se jeta e lojtarëve të tyre u rrezikua gjatë këtij udhëtimi. Ky incident vjen në një periudhë ku dhuna po bëhet shqetësim i përsëritur në futbollin shqiptar.
Reagimi i Bylisit:
“FK Bylisi denoncon dhunën e paprecedentë të ndodhur sot gjatë ndeshjes së kampionatit të moshave U-19, Vllaznia–Bylis, e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Gjatë një pauze të ndeshjes për shkak të breshërit, kur lojtarët tanë po futeshin në dhomat e zhveshjes, janë dhunuar, ku aktorë të dhunës ka qenë trajneri i portierëve të skuadrës shkodrane, si dhe një person civil që ndodhej në pankinë.
Situata mund të agravonte edhe më tej dhe, në këto kushte, është rrezikuar jeta e lojtarëve dhe e të huajve Ibrahim dhe autorit të golit, Malud Riruwai, të goditur me pëllëmbë. Menjëherë kemi vënë në dijeni Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Policinë e Shtetit, për marrjen e masave dhe normalizimin e situatës.
FK BYLIS ndihet i indinjuar për faktin se në fushën tonë mikpritet çdo ekip moshash, ndërsa kërkon marrjen e masave nga organet kompetente”.





