
Ndeshja e javës së 24-të mes Vllaznisë dhe Elbasanit do të luhet të dielën, në orën 19:30. FSHF njoftoi se ky ndryshim u bë me kërkesë të klubit shkodran, ndërsa më herët ishte planifikuar që takimi të luhej në orën 16:30.
Shkaku i shtyrjes janë festimet e 107-vjetorit të klubit kuqeblu. Takimi do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Kjo përballje është vendimtare për titullin, pasi luajnë vendi i parë me të dytin. Vllaznia aktualisht kryeson kampionatin me tre pikë më shumë se ekipi i Elbasanit.
Interesi i tifozëve është i madh dhe pritet një numër i lartë në stadium. Ky përvjetor i rëndësishëm do të shoqërohet me aktivitete të shumta para ndeshjes.





