
Trajneri Silvinjo duket se ka nisur një “blindim” të prapavijës kuqezi përpara sfidës jetike të 26 marsit kundër Polonisë. Risia më e fundit që pritet t’i bashkohet Kombëtares është qendërmbrojtësi 24-vjeçar, Bujar Pllana.
Lojtari që aktualisht aktivizohet në elitën e futbollit polak me Lechia Gdansk, thuhet se ka fituar besimin e teknikut brazilian dhe tashmë është pajisur me pasaportën shqiptare.

Pllana, i cili më parë ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat U19 dhe U21, ka vendosur të ndjekë rrugën e shumë talentëve të tjerë dardanë duke zgjedhur fanellën kuqezi. Karriera e tij ka pësuar rritje konstante, duke nisur nga ekipet si Trepça ’89, Feronikeli e Prishtina, për të kaluar te Slaven Belupo e tashmë në Poloni.

Por ai nuk do të jetë e vetmja risi në mbrojtje. Stavros Pilios i AEK-ut gjithashtu ka dhënë dritën jeshile. Pilios pritet të shërbejë si një alternativë cilësore për Mario Mitajn në krahun e majtë, por edhe si opsion për krahun e djathtë, duke i dhënë Silvinjos më shumë frymëmarrje në prapavijë.






