
Mesfushori i Tiranës, Patrik Mysloviç, mund të jetë surpriza e madhe e Sllovakisë për ndeshjet deçizive të muajit mars. 24-vjeçari, i cili iu bashkua bardhebluve në merkaton e dimrit nga Levski Sofia, është përfshirë në listën paraprake të trajnerit Francesco Calzona.
Për Mysloviç, ky është një vlerësim i lartë që vjen falë performancave të tij si titullar i padiskutueshëm në Superiore, duke u bërë një nga lojtarët e pakët që ftohet në kombëtare duke luajtur në kampionatin shqiptar.
Interesant është fakti se Sllovakia do të përballet pikërisht me Kosovën në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it të Botërorit 2026, më datë 26 mars.
Nëse Mysloviç siguron ftesën zyrtare, ai do të jetë në një duel direkt me “yjet” dardanë që luajnë në Europë, në një kohë kur ekipi i tij, Tirana, po lufton në skajin tjetër të tabelës për mbijetesë.
Për mesfushorin sllovak, kjo ftesë do të ishte kulmi i karrierës, duke shënuar debutimin e tij të mundshëm me ekipin kombëtar në një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit për vendin e tij.





