
Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka akorduar një premio prej 200 milionë lekësh për të motivuar skuadrën në garën për mbijetesë.
Ky vendim vjen në prag të tri përballjeve vendimtare ndaj rivalëve direktë: Bylisit, Tiranës dhe Vorës. Drejtuesit e klubit vlonjat kanë vendosur si objektiv minimal grumbullimin e të paktën 7 pikëve në këto tri sfida “finale”.
Shpërblimi financiar mund të rritet edhe më tej në rast se ekipi arrin të sigurojë tri fitore të plota ndaj kundërshtarëve. Aktualisht, Flamurtari ndodhet në vendin e fundit të renditjes me 24 pikë, po aq sa ka edhe Tirana.
Kalendari i vlonjatëve nis me sfidën e sotme ndaj Bylisit, për të vijuar më pas me dy ndeshje në shtëpi ndaj Tiranës dhe Vorës në prill.
Klubi ka bërë të qartë se në këtë fazë delikate të sezonit nuk do të tolerohet asnjë humbje. Kjo lëvizje synon të nxjerrë skuadrën nga zona e ftohtë dhe të sigurojë qëndrimin në kategori përmes mobilizimit maksimal.




