
Tirana përballet sot me një sfidë “të mbijetesës” në transfertën e vështirë të Shkodrës ndaj Vllaznisë, e vlefshme për javën e 26-të të Superiores.
Takimi në “Loro Boriçi” shënon edhe debutimin e trajnerit Orges Shehi në pankinën bardheblu, i cili rikthehet për të shpëtuar ekipin që aktualisht ndodhet në vendin e parafundit të renditjes.
Megjithatë, lajmi që ka mbizotëruar ambientin bardheblu para kësaj përballjeje është mungesa e Angelo Tafas në listën e futbollistëve të grumbulluar.
Një vendim ky që çudit, duke pasur parasysh se portieri ka qenë një nga elementët më stabël dhe më të vlerësuar të ekipit këtë sezon.
Me një notë mesatare 7.18 sipas “Sofascore” dhe si lojtari me më shumë minuta të luajtura deri para derbit me Partizanin, Tafas ishte titullar i padiskutueshëm.
Pas atij derbi, vendin e tij e mori Visar Bekaj, por përjashtimi i plotë nga lista për ndeshjen e sotme ngre pikëpyetje të mëdha mbi planet e stafit teknik.






