
Vllaznia ka marrë konfirmimin zyrtar nga FIFA për zhbllokimin e merkatos, duke fituar të drejtën për të kryer lëvizje në ditët e mbetura të janarit.
Ky vendim vjen pas shlyerjes së detyrimeve financiare ndaj ish-lojtarëve, çështje të cilat kishin pezulluar aktivitetin e shkodranëve në tregun e transferimeve.
Presidenti Alban Xhaferi kishte paralajmëruar zgjidhjen e kësaj situate, e cila tashmë i hap rrugë federimit të lojtarëve të rinj.
Lëvizja e parë e pritshme është zyrtarizimi i talentit Kevin Dodaj, i cili kthehet te kuqeblutë për të përforcuar repartin ofensiv. Gjithashtu, klubi po punon për afrime të tjera, për të plotësuar kërkesat e trajnerit Edi Martini.
Aktualisht Vllaznia kryeson kampionatin dhe këto ndërhyrje shihen si vendimtare për ruajtjen e këtij pozicioni deri në mbyllje të sezonit.




