
Flamurtari u rikthye te fitorja në kampionat. Vlonjatët triumfuan minimalisht ndaj Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Superiore.
Një gol i shënuar nga Maksuti në pjesën e dytë, i dha suksesin kuqezinjve, që i largohen fundit të renditjes.
Ndeshja nisi e qetë, por rastet nuk munguan. Pas disa tentativave, Murataj shpërdoroi një mundësi të artë shënimi. Tentativa e Oshafit me kokë, u largua nga portieri mik, ndërsa në vazhdim të aksionit, Murataj gjuajti jashtë.
Në fraksionin e parë, u regjistruan edhe dy raste të mira, por Peralta te Bylis dhe Trashi te Flamurtari, nuk kishin saktësinë e duhur.
Fraksioni i dytë, nisi me Flamurtarin më kërkues. Maksuti shpërdoroi një mundësi të mirë në minutën e 60-të, pas asistit të marrë nga Trashi.
Megjithatë, katër minuta më vonë, vendasit rregulluan shënjestrën. Tentativa e Trashit në zonë, u ndal nga shtylla, ndërsa nga rrëmuja në zonë, përfitoi Maksuti, që e dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 88-të, Herald Marku iu afrua edhe golit të dytë, por tentativa e tij nga distanca u ndal në transversë.
Me këtë fitore, Flamurtari i largohet vendit të fundit dhe ngjitet në vendin e nëntë me tetë pikë, Bylis renditet në vendin e gjashtë me 12 pikë.





