Anis Mehmeti po kalon pa diskutim sezonin e tij më të mirë në karrierë, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që po gëzon në Championship-in anglez.
Sulmuesi shqiptar ka gjetur sërish rrugën e rrjetës ditën e sotme, duke zhbllokuar takimin mes Ipswich Town dhe Swansea City që në minutën e tretë të lojës.
Mehmeti realizoi një gol mjaft të bukur me një goditje brenda zonës, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke i dhënë avantazhin e hershëm skuadrës së tij.
Ky ishte goli i 10-të në kampionat për talentin kuqezi, i cili këtë sezon numëron edhe 6 asistime, duke u shndërruar në një nga lojtarët më produktivë të ligës.
Përballja kishte edhe një vëmendje të veçantë mediatike, pasi Swansea ka në bordin e saj të aksionerëve emra të njohur si reperi Snoop Dogg dhe ylli i futbollit Luka Modric.
Me këtë performancë, Mehmeti “i dërgon një mesazh” të qartë trajnerit Sylvinho, duke trokitur fort në dyert e Kombëtares për sfidat vendimtare të muajit mars.






