
Kombëtarja shqiptare është gati për miqësoren me Ukrainën, me kuqezinjtë që kanë shtuar intensitetin në stërvitjet e fundit.
Trajneri Silvinjo dhe stafi teknik i kanë angazhuar lojtarët në ushtrime fizike fillimisht, teksa më tej stërvitja është fokusuar në ushtrime me topin dhe ndeshje kontrolli.
Departamenti i Komunikimit në FSHF në bën me dije se me skuadrën nuk është stërvitur sulmuesi Ernest Muçi, i cili që të shtunën ka ndjerë një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.
Për këtë arsye, ai iu nënshtrua një rezonance magnetike, e cila evidentoi një edemë në nivelin e muskulit, që kërkon disa ditë pushim për shërim të plotë e si pasojë ai nuk mund të rikuperohet në kohë plotësisht për ndeshjen ndaj Ukrainës.
Pas konsultimit me stafin mjekësor, trajneri Silvinjo vendosi ta lërë të lirë Muçin, i cili ka udhëtuar drejt Turqisë për të vijuar rikuperimin.
Gjithashtu, në seancën e fundit stërvitore nuk mori pjesë edhe mesfushori Jasir Asani, i cili ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së djeshme. Stafi mjekësor po e mban në monitorim të vazhdueshëm gjendjen e tij dhe do të vlerësohet nëse futbollisti do të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në stërvitje.
Ndeshja miqësore mes Ukrainës dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në Valencia.







