Një situatë e rrallë dhe mjaft e tensionuar ka ndodhur sot në sfidën mes Lushnjës dhe Laçit, ku protagonisti kryesor u bë portieri vendas, Oltjan Haremi.
Në minutën e 23-të, teksa rezultati ishte 0-1 për kurbinasit, Haremi u shtri në fushë si pasojë e një dëmtimi, duke bërë që gjyqtari Mikele Dyrmishi të sinjalizonte menjëherë zëvendësimin.
Ndërkohë që portieri rezervë, Saugli Alimuçaj, po bëhej gati për t’u futur, situata doli jashtë kontrollit. Haremi u përfshi në një sherr me ofendime me disa tifozë në tribunë të cilët e ofenduan, veprim që detyroi arbitrin Dyrmishi t’i nxjerrë kartonin e kuq direkt portierit të dëmtuar para se ai të linte fushën.
Ky ndëshkim prishi planet e Lushnjës. Zëvendësimi “kokë më kokë” u anulua dhe ekipi mbeti me 10 lojtarë. Për të futur portierin e dytë, trajneri u detyrua të sakrifikonte sulmuesin Ribaudo.
Laçi përfitoi menjëherë nga kaosi dhe superioriteti numerik, duke shënuar golin e dytë ende pa u mbyllur pjesa e parë.






