
Klubi i Flamurtarit ka zyrtarizuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Francesco Moriero, i cili prej tre javësh ndodhej larg skuadrës për shkak të problemeve shëndetësore.
Gjatë kësaj periudhe, drejtimi i ekipit i është besuar ndihmëstrajnerit Andi Ribaj, i cili ka regjistruar rezultate të ndryshme në tri përballjet e fundit. Nën drejtimin e tij, vlonjatët pësuan një humbje ndaj Partizanit, barazuan me Teutën dhe arritën një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë kryesuese.
Pavarësisht suksesit të fundit, e ardhmja e stolit kuqezi mbetet ende e papërcaktuar. Vetë Andi Ribaj, në deklaratat e tij pas fitores së djeshme, ka lënë gjithçka të hapur sa i përket pozicionit të tij.
Ai u shpreh se aktualisht është i fokusuar te stërvitja e ekipit, por ia delegoi vendimmarrjen drejtuesve të klubit, duke theksuar se nuk ka informacion nëse do të jetë në krye të skuadrës deri në fund të sezonit.
Deri në një konfirmim zyrtar nga ana e drejtorit apo bordit drejtues, skuadra do të vijojë përgatitjet nën udhëzimet e Ribajt.





