
Eliminimi i Shqipërisë nga faza play-off e Botërorit ka lënë pas një shije të hidhur, por mbi të gjitha ka vënë në qendër të kritikave Nedim Bajramin.
Fantazisti i kuqezinjve, i cili në këtë sfidë kishte detyrën e vështirë të sulmuesit kryesor, ishte protagonisti i momentit që mund të kishte vulosur kualifikimin në minutën e 54-t.
Pas një aksioni spektakolar të Elseid Hysajt, i cili përshkoi 60 metra fushë për ta nxjerrë Bajramin vetëm përballë portierit polak, ky i fundit shpërdoroi atë që u cilësua si “penallti në lëvizje”.
Një gol që do të dërgonte shifrat në 2-0 dhe me shumë mundësi do të mbyllte llogaritë e ndeshjes. Pas këtij momenti, pesha e përgjegjësisë duket se ka rënduar mbi supet e lojtarit, i cili ka marrë një vendim drastik: heshtjen totale.
Bajrami nuk u shfaq para mediave pas ndeshjes dhe ka zgjedhur të mos bëjë asnjë reagim në rrjetet sociale, duke reflektuar gjendjen e rënduar emocionale pas eliminimit dramatik.







