
Jasir Asani ka konfirmuar largimin nga Irani përmes një postimi në rrjetet sociale, si pasojë e situatës së rënduar të sigurisë në këtë vend.
Sulmuesi i Kombëtares sqaroi se klubi i tij, Esteghlal, ka mundësuar të gjitha kushtet për largimin e tij derisa gjendja të qetësohet. Aktualisht 30-vjeçari mbetet pa aktivitet sportiv, duke ngritur pikëpyetje mbi formën e tij fizike vetëm pak javë para ndeshjes së rëndësishme ndaj Polonisë më 26 mars.
Në mesazhin e tij, Asani u lut për rikthimin e paqes dhe shprehu mirënjohje për dashurinë dhe respektin që i kanë treguar njerëzit në Iran.
Pasiguria mbi kohëzgjatjen e konfliktit ka nxitur spekulime për një rikthim të mundshëm të tij te Partizani në kryeqytet. Ky skenar shihet si një mundësi që lojtari të mbajë ritmin e lojës përpara sfidave “Play-Off” të Kupës së Botës 2026.
“Klubi ka bërë gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet.
Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”, ka shkruar Asani.
Ditët në vijim do të jenë përcaktuese për të ardhmen e sulmuesit dhe hapat që do të ndërmarrë stafi i Kombëtares për grumbullimin e tij.





