
Kombëtarja Shqiptare po përgatitet për testin e radhës miqësor ndaj Ukrainës, që do të zhvillohet më 31 mars në Valencia të Spanjës. Pas eliminimit të dhimbshëm nga Polonia, trajneri Silvinjo duhet të bëjë llogaritë pa dy lojtarë që kanë lënë grumbullimin menjëherë pas ndeshjes në Varshavë.
Ylber Ramadani është larguar për arsye familjare, pasi mesfushori pret të bëhet baba, ndërsa mbrojtësi Arlind Ajeti është rikthyer pranë klubit të tij në Turqi për shkak të dëmtimit në shpatull.
Megjithatë, edhe me këto dy mungesa, tekniku brazilian ndodhet sërish para një dileme listash. Aktualisht në dispozicion janë 24 futbollistë, që do të thotë se një emër do të duhet të përfundojë sërish në tribunë, pasi rregullorja lejon vetëm 23 lojtarë në protokoll.
Pas dërgimit në tribunë të Asanit, Gripshit dhe Cakes ndaj Polonisë, pritet me interes të shihet se kush do të jetë “i sakrifikuari” i radhës në Valencia.







