
Tirana do të duhet të bëjë llogaritë pa mbrojtësin Bazilio Ndong edhe për disa javë të tjera. Lojtari nuk është paraqitur në seancat stërvitore, duke konfirmuar se dëmtimi i tij është serioz dhe kërkon një kohë rikuperimi prej të paktën tri javësh.
Kjo mungesë vjen në momentin më të papërshtatshëm për trajnerin Orges Shehi, i cili sapo ka marrë drejtimin e skuadrës dhe duhet të përballet me një emergjencë në krahun e majtë të prapavijës.
Pa një zëvendësues natyral të Ndongut, stafi teknik pritet të improvizojë duke zhvendosur një lojtar nga repartet e tjera ose duke i besuar një alternative me pak minuta në këmbë.
Kjo situatë shton presionin mbi mbrojtjen bardheblu, në një fazë të sezonit ku pikët janë jetike për daljen nga zona e rrezikut.






