Dinamo u rikthye te fitorja, e cila mungonte prej pesë ndeshjesh. Blutë e drejtuar nga Ilir Daja, triumfoi 2-0 ndaj Tiranës, në duelin e parë për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Në “Selman Stërmasi”, Dinamo u shfaq më kërkuese, pavarësisht se pjesa e parë u mbyll pa gola.
Në fraksionin e dytë, Lorenco Vila zhbllokoi takimin në minutën e 76-të, duke dërguar në rrjetë një top të kthyer nga shtylla.
Ndeshjen e vulosi Dejvi Bregu në shtesë, kur shënoi edhe të dytin, pas një aksioni të bukur nga e majta.
Me këtë fitore, Dinamo hedh një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales dhe merr avantazhin për ndeshjen e kthimit, të cilën do e luajë si pritëse.







