
Vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës kanë ndezur debate të forta mbi paanshmërinë e këtij organi, pas masave drastike të ndërmarra ndaj Egnatias dhe jo vetëm.
Ndërsa trajneri Edlir Tetova u pezullua me 6 muaj dhe kapiteni Albano Aleksi me 5 ndeshje, krahasimi me raste të ngjashme gjatë këtij sezoni nxjerr në pah një diferencë të madhe në gjykim.
Më herët, klube si Tirana dhe Vora kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm proteste duke tërhequr ekipin nga fusha, por ndëshkimet për to ishin vetëm gjoba simbolike prej 50 deri në 100 mijë lekësh dhe pezullime individuale maksimalisht me 4 javë.
Prania e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në tribunë gjatë ndeshjes ndaj Vllaznisë, dyshohet se ka ndikuar në këtë ashpërsi të paprecedentë ndaj rrogozhinasve.
Ky qëndrim ekstrem ndaj Egnatias, që nisi që me pezullimin e parë të Tetovës për kritika ndaj gjyqtarëve, po shihet si një goditje e hapur ndaj klubit, ndërsa ndikon drejtpërdrejt në garën për titull.
Sikur të mos mjaftonte kjo, për sherrin pas ndeshjes Flamurtari-Elbasani, ka dënime vetëm për vendasit. Ndonëse pamjet e publikuara kanë treguar qartë, se në sherr janë përfshirë edhe nga Elbasani, Disiplina ka mbyllur sytë, duke legjitimuar dhunën, njëjtë siç ka bërë edhe në javët e kaluara…





