
Skënderbeu është duke shqyrtuar mundësinë e rikthimit të mesfushorit Uerdi Mara në radhët e tij.
Futbollisti i rritur në akademinë korçare ka mbetur lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij në Gjeorgji me Dinamo Batumin.
Mara tashmë zotëron kartonin e tij dhe është në bisedime për të përcaktuar destinacionin e radhës në karrierë. Megjithëse interesi për shërbimet e tij është shfaqur edhe nga ekipe të tjera të Superligës, Skënderbeu shihet si një opsion serioz për shkak të historisë së lojtarit me këtë klub.
Drejtuesit korçarë nuk kanë dalë ende me një njoftim zyrtar, por bisedimet pritet të intensifikohen në ditët në vijim. Mesfushori ofensiv kërkon një projekt ku mund të ketë minuta të mjaftueshme për të rigjetur formën e tij më të mirë.
Rikthimi i tij do të shërbente si një përforcim për repartin e avancuar të skuadrës bardhekuq. Vendimi përfundimtar pritet të merret përpara mbylljes së merkatos së janarit.




