
Në fund të derbit ndaj Milanit, nga Interi shpërthyen polemika të mëdha, me pretendimin për penallti në minutat shtesë, për prekje me dorë të topit në zonë.
Episodi përfshiu mesfushorin kuqezi, Samuele Ricci, i cili pati një kontakt me topin me krah brenda zonës së rreptësisë pas një devijimi me gjoks nga Dumfries.
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, u shpreh i matur pas ndeshjes, duke deklaruar se stafi i VAR-it kishte kryer verifikimet përkatëse dhe nuk kishte vend për komente të mëtejshme. Arbitri kryesor i takimit, Daniele Doveri, i cili u rrethua menjëherë nga lojtarët e Interit, nuk e ndryshoi vendimin e tij fillestar, duke e konsideruar pozicionin e bërrylit të Riccit si jo të ndëshkueshëm.
Sipas raportimeve nga Italia, dhoma VAR, e drejtuar nga Abisso dhe Di Bello, konfirmoi vendimin e gjyqtarit në fushë. Shoqata e Arbitrave Italianë (AIA) pritet të mbështesë zyrtarisht vendimin e Doverit, duke u bazuar në tri kritere teknike.
Nuk pati një rritje domethënëse të vëllimit të trupit në momentin e kontaktit.
Lojtari nuk bëri lëvizje të qëllimshme drejt topit, por tentoi ta mbyllte krahun drejt trupit.
Pozicioni i krahut u vlerësua si i natyrshëm dhe jo i papërshtatshëm në raport me lëvizjen dinamike të lojës.







