Ernest Muçi ka regjistruar një ecuri pozitive gjatë muajve nëntor dhe dhjetor me fanellën e Trabzonsporit në kampionatin turk.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka fituar për herë të dytë radhazi çmimin për “Golin e Muajit” në Turqi. Për muajin dhjetor, ai u vlerësua për golin e dytë të shënuar në përballjen kundër skuadrës së Goztepes.
Ky realizim erdhi pas një krosimi nga goditja e dënimit, ku Muçi goditi topin në ajër duke kaluar mes këmbëve të dy mbrojtësve kundërshtarë. Pavarësisht se nuk aktivizohet në pozicionin e sulmuesit kryesor, lojtari ka shënuar në pesë ndeshje radhazi.
Gjatë kësaj serie, ai ka arritur të shënojë edhe dy dopieta, duke u bërë një element kyç në repartin ofensiv të ekipit. Aktualisht, statistikat e tij e renditin si një nga lojtarët më produktivë të momentit te Trabzonspori.







