
Elbasani fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Bylisit, në ndeshjen e javës së tetë të Kategorisë Superiore. Takimi u karakterizua nga tension si në fushë ashtu edhe në tribuna. Gjatë pushimit të ndeshjes, në tribunën “VIP” ndodhi një përplasje fizike mes tifozëve dhe familjarëve të një futbollisti.
Pamjet e publikuara treguan skena dhune, ndërsa lojtarët ndaluan nxemjen për të parë çfarë po ndodhte. Ndeshja kishte përfunduar pjesën e parë me avantazhin 2-0 të Elbasanit. Pavarësisht reagimit të Bylisit në pjesën e dytë, verdheblutë arritën të ruajnë fitoren.
Pas ngjarjes, klubi ballshiot reagoi përmes një njoftimi zyrtar, duke mohuar përfshirjen e presidentit Besnik Kapllanaj në incident. Sipas deklaratës, përplasja ndodhi mes familjarëve të një lojtari të Bylisit dhe tifozëve vendas gjatë pushimit të ndeshjes. Shkak u bënë sharjet ndaj futbollistëve ballshiotë, të cilat nuk u pritën mirë nga familjarët në fushë.
“Sqarim! Lidhur me një lajm të publikuar nga faqja JOQ, apo edhe disa faqe të tjera anonime, për përfshirjen në incident të presidentit të klubit Besnik Kapllanaj, sqarojmë për mbarë opinionin publik se nuk është e vërtetë që të jetë i përfshirë presidenti ynë.
Në atë incident janë përfshirë familjarët e një futbollisti tonë dhe tifozët vendas, dhe ngjarja ka ndodhur gjatë pushimit të ndeshjes”, shkruan Bylisi.
Rastet në “Elbasan Arena” duken të përsëritura, pasi vetëm një javë më parë, disa tifozë kaluan rrethimin për tu përplasur me ata të Vorës.





