
Klubi i Teutës ka njoftuar zyrtarisht shitjen e mesfushorit Higor Vidal, i cili do të vijojë karrierën e tij në kampionatin kinez.
Përmes një komunikate për shtyp, durrsakët konfirmuan arritjen e marrëveshjes për transferimin e lojtarit, pa bërë të ditur emrin specifik të skuadrës së re.
Braziliani u largua nga bregdetarët pas një periudhe të shkurtër, ku u vlerësua për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në fushë.
Ky operacion vjen pas suksesit që klubi pati me shitjen e mëparshme të Gabriel Gomes, duke e pozicionuar Teutën si një nga klubet më aktive në eksportimin e lojtarëve nga Superiorja.
Drejtuesit e klubit falënderuan futbollistin për kontributin e dhënë dhe i uruan sukses në etapën e tij të re në Azi.




