
Pas largimit nga drejtimi i pankinës së Lushnjës, trajneri Ditmar Bicaj ka thyer heshtjen duke analizuar situatën aktuale brenda klubit verdhejeshil.
Në një prononcim për emisionin “Mega Sport”, Bicaj ka drejtuar kritika drejt menaxhimit të klubit dhe mungesës së kompetencës në stafin drejtues që rrethon pushtetin lokal.
Sipas tij, problemi i Lushnjës nuk është i momentit, por një situatë e zvarritur prej vitesh që kërkon ndërhyrje rrënjësore në strukturë. Ai theksoi se vendimmarrja është e ndikuar nga persona të pakualifikuar, gjë që penalizon ecurinë e ekipit në kampionat.
“Lushnja do riorganizim në strukturën e klubit. Kryetarja e Bashkisë, me gjithë respektin, nuk është se ka njohuri për futbollin dhe dëgjon këshilltarët e gabuar, pasi ato njerëz qe ka afër nuk janë te kualifikuar. Kjo situatë ka 5 vite dhe nuk ndodhi sot. Pa e zgjidhur çështjen në krye nuk dilet nga ky kalvar dhe këto ujëra. Më erdhi keq sidomos për tifozerinë e Lushnjës, pasi e duan vërtet futbollin dhe ekipin dhe doja ti ktheja ne stadium”, tha ai.





