
Botërori i vitit 2026 do të zhvillohet me 48 ekipe pjesëmarrëse dhe në tre shtete organizatore, SHBA, Kanada dhe Meksikë. Një nga temat më të diskutuara lidhet me çmimet e biletave, të cilat sipas tifozëve janë më të larta krahasuar me Botërorin e Katarit.
Shqipëria ende nuk e ka siguruar pjesëmarrjen në këtë turne. Kuqezinjtë do të luajnë më 26 mars ndeshjen e parë të “Play-Off”-it ndaj Polonisë. Në shortin e zhvilluar më 5 dhjetor, Shqipëria është pozicionuar si “Play-Off B” në grup me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë. Në rast kualifikimi, janë publikuar çmimet zyrtare të biletave nga FIFA për fazën e grupeve.
Ndeshja ndaj Tunizisë në Monterrey të Meksikës ka bileta 450 dollarë për Kategorinë e Parë dhe 380 dollarë për Kategorinë e Dytë. Takimi me Holandën në Houston kushton 600 dollarë për Kategorinë e Parë dhe 430 dollarë për Kategorinë e Dytë. Ndeshja e tretë ndaj Japonisë në Dallas ka çmime 500 dhe 400 dollarë.
Pra me fjalë të tjera, duke mos llogaritur biletat e avionit që janë në rritje të shpejtë, çmimet e hoteleve po ashtu apo parkingu i makinës që siguron FIFA me rreth 70 dollarë ora, për të ndjekur Kuqezinjtë, nëse ata do të kenë shansin të jenë atje, në variantin e Kategorisë së parë, do të kushtojë 1550 dollarë, ndërsa varianti më i lirë 1210 dollarë.
Këto shifra nuk përfshijnë shpenzimet për udhëtim, akomodim dhe shërbime të tjera.







