
Skuadra e Al-Ittihad ka arritur një fitore bindëse me rezultatin 4–1 ndaj Al-Sadd në kuadër të fazës së grupeve të AFC Champions League Elite.
Për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, kjo sfidë shënoi një moment të veçantë në karrierën e tij, pasi trajneri Sergio Conceicao e aktivizoi në një rol të pazakontë si sulmues i krahut të djathtë. 22-vjeçari qëndroi në fushë gjatë gjithë 90 minutave, duke treguar përshtatshmëri të lartë në detyrat e reja ofendive.
Performanca e tij u vlerësua me notën 7.2 nga faqja e specializuar “Flashscore”, ku spikati sidomos në minutën e 33-të, kur krosimi i tij i fortë detyroi mbrojtësin Pedro Miguel të shkaktonte autogol. Golat e tjerë për Al-Ittihad u shënuan nga Houssem Aouar, Youssef En-Nesyri dhe Keller, ndërsa për vendasit realizoi Mujica.

Me këtë fitore, Al-Ittihad ngjitet në kuotën e 15 pikëve pas 8 javësh, duke u renditur në vendin e katërt të tabelës së përgjithshme në zonën e Perëndimit.







