
Sulmuesi i Trabzonsporit, Ernest Muçi, ka njoftuar stafin teknik dhe mjekësor të klubit turk se dëshiron të jetë pjesë e formacionit për ndeshjen e ardhshme kundër Galatasaray-t.
Futbollisti shqiptar pësoi një edemë në pjesën e pasme të kofshës së djathtë gjatë grumbullimit me Kombëtaren, shqetësim që u shfaq pas ndeshjes ndaj Polonisë. Për këtë arsye, ai u la jashtë listës për miqësoren ndaj Ukrainës dhe nisi një fazë rikuperimi disaditore.
Pavarësisht dëmtimit muskulor, 25-vjeçari ka kërkuar aktivizimin në derbi, duke e cilësuar atë si sfidën më të rëndësishme të sezonit. Aktualisht, lojtari është duke vijuar fazën e rikuperimit nën vëzhgimin e mjekëve të klubit.
Pritet që në ditët e ardhshme Muçi t’i bashkohet stërvitjes taktike me grupin, ndërsa vendimi përfundimtar për aktivizimin e tij do të merret pas vlerësimit të fundit të gjendjes fizike përpara fillimit të takimit.







