
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka marrë vendimin për përjashtimin e menjëhershëm të KF Klosit nga garat zyrtare për pjesën e mbetur të sezonit.
Shkak për këtë masë ekstreme është bërë mosparaqitja e përsëritur e skuadrës në ndeshjet e kampionatit, ku rasti më i fundit ishte sfida ndaj Vllaznisë B në Kategorinë e Tretë.
Përveç humbjes së ndeshjes 3-0 në tavolinë, sanksionet e FSHF-së prekin edhe sezonin e ardhshëm futbollistik.
KF Klosi do ta nisë garën një kategori më poshtë dhe do të penalizohet me zbritjen e 6 pikëve nga klasifikimi që në start të kampionatit të ri.
Ky vendim vjen si pasojë e shkeljeve të rregullores mbi mbarëvajtjen e garës dhe integritetin e kompeticionit.






