
Sfida mes Egnatias dhe Elbasanit nuk do të mbahet mend vetëm për tensionin në fushë dhe kartonët e shumtë, por mbi të gjitha për një episod vendimtar që ndezi polemika të mëdha dhe që sipas shumëkujt i ndryshoi fatin ndeshjes.
Vendimi i gjyqtarit për të mos përsëritur penalltinë e Elbasanit në minutat shtesë, pavarësisht se në zonë kishin hyrë lojtarë të të dyja skuadrave, u kthye në pikën më të nxehtë të debatit.
LEXO EDHE: Egantia-Elbasani, modeli se si mund të prishet… futbolli!
Një situatë ku teknologjia e VAR-it nuk arriti të shuajë dilemat, por përkundrazi i thelloi, duke lënë pas një valë diskutimesh që pritet të zgjasin. Në një mbrëmje futbolli që prodhoi 12 kartonë të verdhë, tre të kuq, një gol të anuluar dhe një penallti të humbur, gjithçka u përqendrua te ky vendim që ka hapur shumë polemika.
Kulmi i dramës. Loukili mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, por Dajsinani reagoi heroikisht duke pritur gjuajtjen. Në ribaund, Lajthia ishte i pari te topi dhe e shtyu atë në rrjetë, duke shpërthyer festën e verdhebluve.
LEXO EDHE: “Çmenduri” në Egnatia-Elbasani, 3 kartonë të kuq dhe gol i anuluar. Zhgënjen Partizani
Megjithatë, VAR ndërhyri dhe pas disa sekondash komunikimi, goli u anulua me argumentin se Lajthia kishte hyrë në zonë para goditjes së shokut të skuadrës. Festa u shua menjëherë dhe gjyqtari akordoi goditje dënimi për Egnatian.
Por në pamjet e përsëritura u duk qartë se jo vetëm Lajthia, por edhe Ruçi i Egnatias kishte hyrë brenda zonës para se të goditej topi.
Sipas Nenit 14 të rregullores së IFAB-it, në raste të tilla penalltia duhet të përsëritej, pasi brenda zonës kishin hyrë lojtarë të të dy ekipeve. Vendimi për të dhënë goditje dënimi ishte, pra, i gabuar dhe ky mbetet episodi më i kontestuar i ndeshjes.
/Panoramasport