
Java e 24-t e Kategorisë së Parë është mbyllur sot me tri takimet e fundit, të cilat kanë sjellë lëvizje interesante në tabelë dhe kanë konfirmuar dominimin e Skënderbeut.
Kur mbeten edhe 9 javë deri në fund, Skënderbeu udhëheq kampionatin me një diferencë prej 3 pikësh nga Laçi ndjekës dhe 8 pikësh nga Pogradeci i vendit të tretë.
Bardhekuqtë kanë arritur edhe verdiktin e parë matematikor. Ata nuk e rrezikojnë më zonën “play-off”, pasi shkëputja prej 29 pikësh nga Besa e vendit të shtatë e bën të pamundur rënien nga gjashtëshja e parë. Megjithatë, objektivi i vetëm i korçarëve mbetet ngjitja direkte si kampionë.
Në fundin e tabelës, situata mbetet alarmante për Luftëtarin dhe Kukësin, që mbyllin renditjen, ndërsa Apolonia dhe Lushnja ndodhen aktualisht në zonën e rrezikshme të “play-out”.





