
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është dënuar me 1 vit burg, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
SPAK do nxjerrë urdhër-arrestin dhe kryebashkiaku do të shkojë në qeli. Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Përpos 1 viti heqje lirie, Memollës i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike.

Janë shpallur fajtorë edhe dy bashkëpunëtorë të kryebashkiakut, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Ata janë dënuar përkatësisht me nga 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.
Pjesë e kësaj dosje është edhe Ndriçim Tafxhafa, dënuar me 1 vit burg po për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Kujtojmë se më 24 janar të vitit 2025, Gjykata e Posaçme e shpalli fajtor Edison Memollën pas hetimeve që morën indicie nga një emision investigativ
Audio përgjimi tregoi se kryebashkiaku, në kohën kur kandidonte për kryetar bashkie në Rrogozhinë, pra zgjedhjet e pjesshme të 2022-it, ndikonte tek një punonjës i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Prokuroria e Posaçme tha se e gjitha kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij.






