
Shqipëria ka fituar 1-0 ndaj Letonisë në ndeshjen e kualifikuesve të Botërorit, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga Kristjan Asllani në minutën e 25-të, nga pika e bardhë e penalltisë. 11-metërshi erdhi pas një krosimi të Qazim Laçit, që u ndal me dorë nga një lojtar kundërshtar.
Pas avantazhit, kuqezinjtë patën disa raste të tjera shënimi me Bajramin, Hoxhën dhe Brojën, por nuk arritën të finalizonin. Letonia pati gjithashtu mundësi për barazim, por Strakosha dhe Mitaj shmangën rrezikun.
Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të grupit K me 8 pikë. Serbia zbret në vendin e tretë me 7 pikë, pasi u mund 5-0 nga Anglia. Ky rezultat i mban kuqezinjtë në garë për kualifikim.
SHQIPERI-LETONI 1-0
KOMENTI LIVE:
86’- Shpëton për mrekulli Shqipëria. Mitaj largon një top mbi vijën fatale. Drithërima në portën e Strakoshës.
82’- Dy zëvendësime të tjera te Shqipëria. Në fushë Mirlind Daku dhe Adrion Pajaziti, marrin vendin e Manajt dhe Laçit.
80’- Goditje këndi për Letoninë. Krosimi në zonë shkon drejt dhe në duart e Strakoshës.
71’- Mundësi shumë e mirë për Letoninë. Gutkovskis “fal” Shqipërinë, me një gjuajtje totalisht të gabuar.
69’- Tentativë edhe nga Arbër Hoxha, i cili lëshon një gjuajtje të fortë nga jashtë zone. Pret pa shumë vështirësi portieri Zviedris.
68’- Zëvendësim te Shqipëria, largohet Nedim Bajrami dhe vendin e tij e merr Arbër Hoxha.
67’- “Predhë” e Nedim Bajramit nga distanca. Pret portieri në dy kohë.
64’- Mundësi e mirë për Letoninë, me miqtë që nuk shfrytëzojnë si duhet një top në zonë.
63’- Aksion i gjatë i Kombëtares në të majtë. Në fund Mitaj nuk finalizon aksionin dhe e dërgon topin në duart e portierit.
59’- Armando Broja futet bukur në zonë dhe tenton një pasim në qendër. Portieri letonez e devijon topin në goditje këndi.
56’- Nuk i besojnë syve kuqezinjtë. Berat Gjimshiti bën më të vështirën. Pranë portës, kapiteni i Shqipërisë gjuan mbi traun e portës.
55’– Goditje dënimi për Shqipërinë në afërsi të zonës. Cernomordijs ndëshkohet me karton të verdhë.
51’- Tjetër mundësi e artë për Shqipërinë. Bajrami merr një top nga Hysaj dhe gjuan, por shkon ngjitur me shtyllën.
50’- Kombinim i shkëlqyer mes Hysajt dhe Brojës. Sulmuesi hedh topin në zonë, por devijohet në këndore. Manaj nuk e shfrytëzon rastin.
47’- Vertikalizim i Hysajt për Laçin. Devijimi i mesfushorit e dërgon topin mbi traun e portës.
45′- Starton pjesa e dytë.
Mbyllet pjesa e parë.
Akordohen 2 minuta shtesë.
44’- Mundësia më e mirë për Letoninë. Jurkovskis i afrohet golit me kokë, pasi fitoi duelin me Mitajn. Topi shkon ngjitur me shtyllën.
39’- Letonia pranë autogolit. Portieri nuk kontrollon si duhet topin, por e largon mbi vijën fatale.
30’- Tentativë e Kristan Asllanit nga jashtë zone, por shkon mbi traun e portës.
29’- Mundësi e artë për Shqipërinë. Manaj merr një top në hyrje të zonës dhe gjuan bukur me të majtën. Tentativa e tij shkon ngjitur me shtyllën.
25’- Gooooool Shqipëria 1-0! Zhbllokohet sfida. Kristjan Asllani tregohet i saktë nga penalltia dhe i jep avantazhin Shqipërisë.
22’- Penallti për Shqipërinë! Aksion nga e majta me Bajramin që pason për Laçin, krosimi i të cilit devijohet me dorë dhe ka 11-metërsh.
20’- Kristjan Asllani shtrihet në fushë. Mesfushori ndjen dhimbje në gjurin e tij pas dëmtimit më herët.
19’- Armando Broja jep shkëndijën e parë. Sulmuesi merr një top të shkëlqyer në zonë nga Hysaj dhe lëshon gjuajtjen, por shkon jashtë.
17’- Goditje këndi për Letoninë, pas një devijimi të Shehut. Vjen krosimi në zonë, por Mitaj largon me kokë.
15’- Goditje dënimi ndaj Kristjan Asllanit në mesfushë. Futbollisti kuqezi ndjen dhimbje te gjuri i djathtë. Asllani nuk dorëzohet dhe ngrihet të vazhdojë lojën.
9’- Kuqezinjtë më kërkues dhe agresivë në fushë. Kombëtarja kërkon me çdo kusht golin e avantazhit, që do të sillte qetësinë.
8’- Krosim i rrezikshëm nga Mitaj në zonë, por nuk e shfrytëzon si duhet Qazim Laçi.
3’- Shqipëria merr kontrollin e lojës. Nedim Bajrami lëviz bukur dhe tenton të rrezikojë portën letoneze, por gjuajtja e tij nuk ka saktësinë e duhur.
Starton takimi.






