
Kryebashkiakja e Lushnjës dhe njëkohësisht presidentja e klubit K.F Lushnja, Eriselda Sefa ka reaguar zyrtarisht, në lidhje me zërat për probleme financiare. Ajo ka akuzuar futbollistët dhe ka sqaruar punën e rrogave te ekipi myzeqar.
Sipas Sefës, Lushnja nuk ka probleme financiare, por lojtarëve u është mbajtur paga qëllimisht për shkak të rezultateve.
Kryetarja e Bashkisë theksoi se kjo është firmosur në fillim të sezonit nga vetë futbollistët në kontratë.
“Aludimet mbi probleme financiare ne skuadër janë të pavërteta! Lushnja ka pasur buxhetin më të madh në Kategorinë e Parë dhe nuk ka pasur dhe nuk ka absolutisht probleme të natyrës financiare.
Çdo aludim i tillë ose është dashakeqës, ose bëhet për të shmangur probleme të natyrës teknike, të cilat për fat të keq në ketë pjese të parë të sezonit kanë qenë të dukshme dhe të vazhdueshme!
Dua të sqaroj se lojtarëve iu është mbajtur njëra pagë si ndëshkim për daljen jashtë objektivave, për të cilën stafi teknik dhe lojtarët ishin zotuar në fillim të sezonit.
Janë masa ndëshkimore është e përfshirë në kontratën e firmosur nga vetë futbollistët në fillim të sezonit dhe kjo gjë iu është komunikuar futbollistëve në muajin nëntor në kulmin e rezultateve negative!
Askush nuk mund të abuzojë me paratë e taksapaguesve! Bashkia Lushnje dhe Keshilli Bashkiak kanë plotesuar çdo dëshirë financiare stafeve teknike për të ndërtuar një skuadër ambicioze dhe dinjitoze, por rezultatet kanë qenë tepër zhgënjyese.
Pas humbjes së fundit ndaj Kastriotit i kërkova trajnerit Ditmar Bicaj largimin nga stoli, masë që do të pasohet edhe me vendime të tjera.
Futbollistët e huaj trajtohen me akomodim dhe trajtim ushqimor.
Pres që reflektimin kryesor ta bëjnë faktorët vendas në skuadër, lushnjarët e fushës dhe të stolit, të cilët kanë detyrimin moral të transmetojnë në fushë të gjithë dashurinë dhe lidhjen e tyre me fanelën”, tha ajo.





