
Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Morinë–Kukës, ku trajneri i skuadrës së Basanias (Kategoria e Dytë), Besart Cecelia, ka shpëtuar mrekullisht. Ngjarja u shënua pranë fshatit Përbreg, kur automjeti i tij me targa të Kosovës doli nga rruga, u përplas me murin mbajtës dhe ra nga një lartësi prej më shumë se 10 metrash.
48-vjeçari, i cili po udhëtonte i vetëm drejt Shkodrës për seancën stërvitore të ekipit, ka treguar se shkak i aksidentit ka qenë lodhja e tepërt.
“Më zuri gjumi për një moment dhe e pashë veten duke dalë nga rruga. Kam lindur për së dyti,” u shpreh Cecelia, duke konfirmuar se fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime fizike pavarësisht dëmtimeve të rënda të mjetit.
Trajneri po rikthehej në klub për të vijuar punën pasi ishte shkëputur për tre ditë për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës e cila ndërroi jetë tre ditë më parë.





