
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, theksoi se lojtarët e Shqipërisë, tashmë kanë fituar pjekuri dhe i njeh mirë.
Në Klan News, tekniku italian theksoi se të gjithë lojtarët janë nga koha e tij.
Reja u habit nga pyetja se Silvinjo ka sjellë futbollistë të rinj, duke thënë se në kohën e tij, Hoxha dhe Shehu ishin akoma të rinj për tu ftuar.
“Janë të gjithë djem që unë i njoh dhe tani kanë arritur pjekuri. Besoj se mund t’i japin më shumë kënaqësi Shqipërisë. Kjo është ajo që unë uroj.
Skuadra është e vetëdijshme për mundësitë që ka. Duhet edhe fat në short. Nëse takon një skuadër më të dobët, është më mirë. Kjo skuadër e ka treguar veten me Poloninë. Është normale, me Anglinë dhe Francën është e vështirë. Në këto situata është shumë afër. Unë isha afër, por nuk ia dolëm. Uroj që Shqipëria të shkojë në Europian.
Nuk ka lojtarë të rinj në këtë Kombëtare. Ishin të gjithë me mua. Janë të gjithë që kanë luajtur me mua. Kush janë ata që kanë thënë se Silvinjo ka marrë lojtarë të rinj?! Asani ishte zbulim i ri, Shehu dhe Hoxha që luan te Dinamo. Këta ishin lojtarë të rinj atëherë kur isha unë. Kam nxjerrë 50 lojtarë te Shqipëria. Më duket e çuditshme. Ka zbuluar lojtarë të rinj. Unë kam respekt për Silvinjon dhe nuk dua të mos duket. Pas periudhës sime, ai ka bërë rritje maksimale për skuadrën. Por të thuhet që ajo skuadër që fitoi në Serbi… Ajo është një skuadër me lojtarë që kanë qenë me mua. Ka merita të jashtëzakonshme, por janë lojtarë të mi. Nuk është aspak e vërtetë që të thuhet se janë lojtarë të rinj”, u shpreh Reja.






